Logopedi

Strategji të përshtatshme të të lexuarit në moshën parashkollore

Post Image

Strategji të përshtatshme të të lexuarit në moshën parashkollore . Studimet e ndryshme sugjerojnë se mënyra sesi u lexohet fëmijëve në moshën parashkollore është më e rëndësishme se koha që u lexohet atyre. Në një studim të kryer në kushtet e një ndërhyrjeje në shtëpi, ku prindërit u trajnuan të shtonin pyetjet e hapura për fëmijët e tyre...

Strategji të përshtatshme të të lexuarit në moshën parashkollore . Studimet e ndryshme sugjerojnë se mënyra sesi u lexohet fëmijëve në moshën parashkollore është më e rëndësishme se koha që u lexohet atyre. Në një studim të kryer në kushtet e një ndërhyrjeje në shtëpi, ku prindërit u trajnuan të shtonin pyetjet e hapura për fëmijët e tyre gjatë leximit, u zbulua se mënyra dhe stili i leximit për fëmijën ndikon aftësitë e tyre gjuhësore. • Libri nis të lexohet nga hyrja. Fillimisht do të lexohet titulli, do të lexohet emri i autorit, do të ndiqet figura në hyrje për të krijuar një ide se për çfarë flet historia. Ky veprim do të ndezë interesin dhe kuriozitetin për librin. Më pas, faqe pas faqeje do të mësohen detajet e historisë nëpërmjet tekstit dhe ilustrimeve, deri në kapakun e fundit të librit. Leximi për parashkollorët mund të ofrohet në kushte individuale, kur prindi është duke lexuar për fëmijën parashkollor, ose mund të ofrohet në kushte grupi një kujdestar, edukator apo mësues është duke lexuar për grupin në kopshtin e fëmijëve. • Kur një mësuese lexon për grupin, fëmijët janë të gjithë të ulur përballë librit dhe mësuesja mban librin në një pozicion të dukshëm mbi nivelin e fëmijëve si skena e mini-teatrit të kukullave që ata kanë në kopsht. Kjo mundëson shikueshmërinë e ilustrimeve, të cilat shtojnë fakte të rëndësishme që teksti nuk i tregon përgjatë leximit, ose thjesht, mund të tregojnë sesi duket skena apo personazhet e ngjarjes . Si në rastin kur i lexojnë vetëm një fëmije edhe në rastin kur i lexojnë një grupi fëmijësh, nevojitet që, të rriturit të tregojnë me gisht fjalët, të ndjekin me gisht rreshtat ndërsa lexojnë dhe të tregojnë, po me gisht, figurat ilustruese. • Disa libra janë tërësisht pa fjalë, dhe ata i paraqesin të gjitha ngjarjet vetëm nëpërmjet figurave . Që të ruhet vëmendja e fëmijës/ve, të rriturit lexojnë duke ndryshuar zërat sipas personazheve, në një formë aktrimi ku edhe fëmija përfshihet dhe e shijon edhe më shumë leximin. Ndërsa lexojmë një tregim, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për pozicionin e trupit tonë, sytë tanë dhe shprehjen e tyre, kontaktin me sy me fëmijën ose fëmijët, ndryshueshmërinë e zërit tonë, dhe animimin e përgjithshëm facial. Lidhja pozitive me leximin dhe librat krijohet duke parë të rriturit që modelojnë entuziazmin dhe angazhimin e tyre. Pritshmëritë e tyre ndikojnë qëndrimet e fëmijëve ndaj përdorimit të librit. Norma mesatare e leximit për parashkollorët për kënaqësi duhet të jetë 15-30 minuta çdo ditë . • Leximi një-për-një do të ishte më i kënaqshëm, më intim, me më shumë vëmendje të dedikuar për fëmijën, me më shumë mundësi për të shpjeguar konceptet e reja dhe më shumë vëmendje të dedikuar fëmijës përgjatë aktivitetit të leximit. Megjithatë, në leximin në grup të gjitha këto mund të përshtaten për të ofruar një lexim më efektiv, duke vështruar audiencën, duke ruajtur kontaktin me sy me secilin fëmijë çast pas çasti, duke iu përgjigjur disa nga pyetjeve të fëmijëve përgjatë leximit, në një formë interaktive. • Për të ruajtur stilin aktoresk të leximit me zëra të ndryshëm, pasionant dhe të gjallë, në leximin në grup do të nevojitet që lexuesi/ja të mbajë një nivel më të lartë zëri për të arritur te të gjithë dëgjuesit. Leximi i efektshëm nevojitet të jetë pjesërisht ndërveprues. Fëmijët humbasin vëmendjen nëse do t’u lexohen fjalë nga teksti pa u dhënë atyre mundësinë të tregojnë një objekt apo kafshë që duket lehtësisht në ilustrim . Disa fëmijë më aktivë do t’i tregojnë personazhet dhe objektet në figurë edhe pa u pyetur nga lexuesi i rritur. Sfida në leximin në grup është se fëmijët nuk kanë të gjithë të njëjtin nivel kuptueshmërie dhe nuk kanë të njëjtën eksperiencë leximi. Jo të gjithë fëmijëve u lexohet në shtëpi njësoj, për pasojë, fëmijët do të kenë stërvitur vëmendjen e tyre në nivele të ndryshme. Të rriturit duhet të bëjnë durim me një fëmijë që po mëson të dëgjojë dhe të kushtojë vëmendje, duke shmangur televizionin apo objekte të tjera që mund t’u tërheqin vëmendjen, duke eksperimentuar me histori më të sofistikuara për të parë nëse fëmija kërkon më shumë stimul për të qenë i përfshirë dhe duke mos hamendësuar, gjithsesi, se librat me më pak ilustrime dhe më shumë tekst do të përshpejtojnë përparimin e fëmijës . Në fund të historisë, për të përftuar një kuptueshmëri më të lartë vlen të pasojë një diskutim i shkurtër mbi ngjarjen, ndjenjat, personazhet dhe fjalë apo koncepte të reja. Kombinimi i tekstit intrigues, artit dhe temave që gjenden në librat me ilustrime i ushqejnë fëmijët me ide, stimulojnë imagjinatën dhe kuriozitetin e tyre dhe u dhurojnë atyre një fjalor të pasur për t’u përdorur në diskutimet dhe pyetjet në lidhje me librin . Shkruan : Igresa Duka Logopede


Para

Masat që d...

Pas

Rëndësia e...


0 Komente

Lër një koment

Hyr për të lënë një koment.